Pyetje të shpeshta

Pyetjet më të shpeshta lidhur me skemën e granteve GRAS

1: Çfarë nënkuptohet me kërkesën për pasqyrë të llogarisë bankare?

Me këtë dokument vërtetohet se një OSHC ka llogari aktive bankare.

2: A mund të aplikoj një OSHC me më shumë se një projekt propozim/ide?

Jo, OSHC-të mund të aplikojnë vetëm me një projekt propozim.

3: A lejohet që organizata të aplikoj me ndonjë organzatë tjetër partnere?

Po lejohet.

4: A mund të përfshihen kontributet në natyrë si pjesë e kofinancimit?

Jo, kontributet në natyrë nuk mund të llogariten si pjesë e kofinancimit.

5: A lejohet partneriteti në projekt i organizatave joqeveritare me institucione publike lokale?

Realizimi i projekteve në partneritet me institucionet publike, qoftë lokale apo qendrore, me mediat dhe me institucionet tjera është i lejuar dhe inkurajohet në kuadër të kësaj thirrjeje.

6: A penalizohen organizatat me përvojë të gjatë në fushat relevante për projektin e propozuar?

Skema e granteve GRAS ka për synim mbështetjen e organizatave me bazë në komunitet të cilat definohen si “Grupe të vetorganizuara të individëve që ndjekin interesa të përbashkëta përmes një organizate vullnetare dhe jo-fitimprurëse” dhe asnjë organizatë që i plotëson kriteret e këtij përkufizimi nuk do të penalizohet për shkak të përvojës së gjatë në fushat e caktuara që mbështeten prej kësaj thirrjeje.

7: A janë të përshtatshme për aplikim grupet joformale të regjistruara?

Kriteret e paraqitura në thirrje specifikojnë se janë të pranueshme për aplikim të gjitha “OShC-të lokale të regjistruara në Kosovë” pavarësisht formës së tyre të regjistrimit, si shoqatë apo fondacion. Në këtë aspekt, është kusht që ato të jenë të regjistruara pranë divizionit të regjistrimit të OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike dhe të mbështesin këtë me dokumentacionin përkatës.

8: Nëse shuma e ndarë nga ky grant nuk është e mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të projektit, a është i lejuar financimi i aktiviteteve të projekit nga ndonjë skemë tjetër financimi?

Bashkëfinancimi i projektit nga ndonjë skeme tjetër është i lejuar, përderisa burimet e bashkëfinancimit nuk vijnë nga fondet e BE-së, qoftë në mënyrë direkte apo indirekte.

9: Kur do të njoftohemi për rezultatet e aplikimit për grante?

Njoftimi i palëve për statusin e aplikimit të tyre do të bëhet më së largu gjatë javës së dytë të qershorit 2019.

10: Kur duhet të fillojë implementimi i projekteve?

Nënshkrimi i kontratave me palët përfituese të granteve do të bëhet në fund të qershorit 2019 dhe implementimi i projekteve mund të fillojë menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.

11: Kur është koha më e vonshme për realizimin e projekteve të cilat financohen nga kjo skemë?

Projektet fituese të granteve duhet të implementohen gjatë periudhës gjashtëmujore deri dymbëdhjetëmujore prandaj data e fundit për përmbyllje të projektit është 31 korrik 2020.

12: A lejohet aplikimi për financim të aktiviteteve të cilat janë shtesë apo vazhdimësi e aktiviteteve ekzistuese?

Aktivitet e propozuara mund të jenë vazhdimësi e angazhimeve ekzistuese, përderisa ato janë në përputhje me qëllimin dhe temat specifike për intervenim të kësaj thirrje.

13: A pranohet promovimi i kulturës së ‘padhunshmërisë’ (non-violence culture) në kuadër të fushës tematike Kultura dhe trashëgimia kulturore?

Çfarëdo aktiviteti që është brenda njërës prej tri fushave tematike të përzgjedhur nga aplikuesi për intervenim si: 1) Qeverisje e mirë-pjesëmarrja qytetare dhe llogaridhënia lokale, 2) Drejtësia sociale-të drejtat socio-ekonomike, dhe 3) Kultura dhe Trashëgimia Kulturore në nivel lokal, janë të pranueshme.

14: Cili është kufiri i lejuar i shpenzimeve të personelit si përqindje e buxhetit total të projektit?

Nuk ka kufij të vendosur për shumën e lejuar të shpenzimeve të personelit në projekt përderisa shpenzimet janë të arsyetuara mirë dhe projekt propozimi dëshmon qartë se si ato i shërbejnë arritjes së objektivave të projektit të propozuar në kuadër të kësaj thirrjeje.

15: A është e lejuar lëvizja e fondeve në kuadër të vijave buxhetore?

Lëvizja e fondeve është e lejuar përbrenda seksioneve të buxhetit dhe përderisa ato nuk lëvizin nga shpenzimet e drejtpërdrejta të projektit te seksioni mbi personelin (pagat).

16: A mund të përfshihen në kuadër të projektit të propozuar aktivitete garuese, si sportive, kulturore etj.?

Aktivitetet garuese mund të përfshihen në kuadër të projektit të propozuar nëse në projekt është e arsyetuar mirë se ato do t’u shërbejnë objektivave të vendosura të projektit dhe të kësaj thirrjeje.

17: A është e lejuar të paraqiten edhe fatura në të cilat është e përfshirë TVSH?

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nuk është kosto e pranueshme me këtë thirrje dhe si rrjedhojë nuk mbulohet nga mjetet e pranuara nga bartësi i projektit.

Në përputhje me Nenin 5, paragrafi 5, nënparagrafi 5.4 i Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2015 për zbatim të Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, organizatat jo-fitimprurëse janë të liruara nga TVSH-ja nëse realizojnë të ardhura nga fonde, grante dhe donacione. Implementuesi i projektit në këtë rast, duhet të ofrojë dëshmi se mallrat/shërbimet e blera financohen nga të ardhurat e donacioneve, në mënyrë që furnizuesi i mallrave/shërbimeve ta bëjë faturimin pa TVSH.

Në rastin kur bartësi i projektit dështon të sigurojë faturimin pa TVSH nga furnizuesi i mallrave/shërbimeve për çfarëdo arsye, atëherë bartësi i projektit duhet t’i paguajë shpenzimet e TVSH-së vetë.

18: Cila është procedura e sigurimit të faturave pa TVSH?

Sipas vendimit shpjegues publik nr. 04/2016, të nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, furnizuesit e mallrave/shërbimeve, me rastin e faturimit të projekteve të financuara nga të ardhurat e donacioneve, faturimin duhet ta bëjnë pa TVSH, duke shënuar në faturë referencën e nenit 33. Paragrafi 3, nën paragrafi 3.1 të ligjit Nr. 05/L-37 për TVSH.

19: Me çfarë dokumentesh duhet të dëshmohet qarkullimi vjetor i një organizate?

Qarkullimi vjetor i një organizate mund të dëshmohet me Deklaratë vjetore të tatimit mbi korporata e cila merret në ATK pas deklarimit të organizatës suaj. Kjo dëshmi do të ju kërkohet nëse jeni pjesë e listës së ngushtë përfituese të skemës financiare nga projekti.

20: A mbulohen projektet/aktivitetet të cilat kanë për qëllim avokimin dhe lobimin sa i përket fushës tematike “Kultura dhe promovimi i trashëgimisë kulturore në nivel lokal”?

Po. Avokimi dhe lobimi janë disa prej llojeve të veprimeve të cilat i mbulon kjo thirrje, dhe çfarëdo aktiviteti i kësaj natyre që është brenda njërës prej tri fushave tematike të përzgjedhur nga aplikuesi për intervenim si: 1) Qeverisje e mirë-pjesëmarrja qytetare dhe llogaridhënia lokale, 2) Drejtësia sociale-të drejtat socio-ekonomike, dhe 3) Kultura dhe Trashëgimia Kulturore në nivel lokal, janë të pranueshme.

21: A mund të aplikojnë organizatat të cilat janë regjistruar kohës së fundit dhe nuk kanë ende ndonjë projekt të implementuar?

Kjo thirrje nuk ka ndonjë kufizim rreth periudhës së themelimit të organizatës. Andaj, kushti i vetëm është që ato të jenë të regjistruara dhe të jenë në gjendje të ofrojnë dokumentet që dëshmojnë këtë regjistrim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *