GrassRoots Support Action-GRAS synon të forcojë kapacitetet ekzistuese të OShC-ve me bazë në komunitet në Kosovë dhe t’i ndihmojë ato në përfaqësimin e interesave të komunitetit, duke u ofruar mbështetje financiare dhe jo-financiare. Projekti kryesisht do t’ua lehtësojë OSHC-ve të kuptuarit e proceseve të politikave, të institucioneve dhe të akterëve tjerë të rëndësishëm,  me qëllim që t’ua mundësojë atyre përfshirjen efektive në dialogun dhe proceset e politikave publike në nivel lokal dhe qendror.
GRAS është një program inovativ i bazuar në ndihmë financiare që u mundëson partnerëve të projektit të mbështesin një gamë të gjerë të organizatave të shoqërisë civile dhe u mundëson OSHC-ve jo vetëm që të rrisin angazhimin e tyre në procesin e politikave, por gjithashtu të krijojnë partneritete në të gjithë sektorin për zë më të fuqishëm gjatë përfaqësimit të komuniteteve, zgjedhësve dhe / ose grupeve të tyre të interesit.
Përveç përkrahjes financiare, projekti do të përdorë aftësitë dhe ekspertizën e partnerëve të projektit për të ofruar trajnime dhe mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të OShC-ve me bazë në komunitet në mënyrë që të rrisin njohuritë e tyre teknike për angazhim në politikë bërje, aftësitë e menaxhimit të projekteve, kapacitetet qeverisëse dhe organizative por gjithashtu t’u ndihmojnë atyre në ngritjen e aftësive për sigurim të fondeve.

Përfituesit

Përmes projektit GRAS ne synojmë të ngrisim kapacitet e një spektri të gjerë të organizatave dhe grupeve me bazë në komunitet, asociacioneve profesionale lokale e kombëtare, organizatave jo-qeveritare, institucioneve akademike dhe trajnuese, think tankeve dhe akterëve të tjerë të shoqërisë civile.

Fushat e fokusit

GRAS ka kryer hartëzimin dhe vlerësimin e nevojave të organizatave me bazë në komunitet në Kosovë, gjë e cila ka ndihmuar GRAS-in të vendosë mbi kriteret e përshtatshmërisë. Bazuar në rezultatet e hartëzimit, projekti përqendrohet në këto tri fusha kryesore tematike me rëndësi strategjike:

  • Qeverisje e mirë: Pjesëmarrja e qytetarëve dhe llogaridhënia lokale
  • Drejtësi sociale: Të drejtat socio-ekonomike
  • Promovim i kulturës dhe trashëgimisë kulturore në nivel lokal

Mbështetja financiare

Mbështetja financiare për palët e treta (Skema e granteve) do të organizohet në tri cikle dhe është e dizajnuar të mbulojë organizata me bazë në komunitet nga sektorë të ndryshëm të cilat do të përfshijnë, por nuk do të jenë të kufizuara në: a) punësim; b) shëndetësi; c) infrastrukturë; d) edukim; e) të drejta të njeriut; f) kulturë dhe tradita

Mbështetja jo-financiare

Projekti do të kombinojë modaliteteve të ndryshme të ndërtimit të kapaciteteve për të zhvilluar një qasje të ngritjes së kapaciteteve që u përgjigjet dhe përshtatet nevojave të identifikuara gjatë procesit të portretizimit të organizatave me bazë në komunitet. Trajnime, punëtori dhe mjete të tjera do të ofrohen për të mbështetur nevojat e OSHC-ve, ndërsa stërvitja dhe mentorimi do të jenë mjeti më i dobishëm për transferimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive. Përderisa stërvitja synon të ndihmojë OSHC-të në zbatimin e aktiviteteve të tyre në lidhje me këtë aksion (mbështetjen financiare për palët e treta), mentorimi do të fokusohet në ofrimin e mbështetjes së avancuar për udhëheqësit e organizatave.
Projekti do të organizojë një fushatë ndërgjegjësimi që do të shërbejë si për qëllim të informimit të publikut për projektin e realizuar nga organizatat përfituese, ashtu edhe për ngritjen e vetëdijes për rolin e përgjithshëm të OSHC-ve në procesin e hartimit të politikave. Në mënyrë të veçantë, fokusi i fushatës do të jenë organizatat me bazë në komunitet që veprojnë si ndërmjetës midis publikut (zgjedhësve) dhe qeverisë (veçanërisht në nivel lokal). Përveç aktiviteteve të ndërgjegjësimit, pas ciklit të parë ose të dytë të granteve, do të prodhohet një fushatë vizuale duke përdorur shembuj të suksesshëm të angazhimit të organizatave me bazë në komunitet në procesin e politikave për të promovuar angazhimin e rritur por dhe për të siguruar qasje më të madhe të OSHC-ve në procesin e politikave.